Tag: honeybee

Përgatitja e Bletëve për Dimër

Dimri është prova më e madhe për çdo koloni bletësh. Aty ku verës çdo gjë duket e bollshme me lule, nektar, diell, në muajt e ftohtë bletët mbijetojnë vetëm falë rezervave dhe kujdesit të bletarit. Një përgatitje e mirë është çelësi që shoqëritë e bletëve të dalin të forta në pranverë.


Siguro Rezervat e Ushqimit

Bletët kanë nevojë për mjaft mjaltë për të kaluar dimrin. Në përgjithësi, një koshere mesatare duhet të ketë rreth 15–20 kg mjaltë si rezerva. Nëse shikoni që rezervat janë të ulëta, ndihmoni koloninë me ushqim artificial (shurup sheqeri në vjeshtë ose ushqim i ngurtë gjatë dimrit). Kjo shpesh bën dallimin mes jetës dhe vdekjes së kolonisë.


Izolimi dhe Mbrojtja nga i Ftohti

Bletët nuk kanë nevojë për ngrohje artificiale, por kërkojnë një koshere me izolim të mire dhe të mbrojtur nga erërat e forta dhe lagështia.

  • Vendos kosheret në një vend të mbrojtur, mundësisht ku ka diell dimëror.
  • Siguro që kapaku të jetë material i fortë dhe të mos lejojë ujin të depërtojë.
  • Përdor izolim të thjeshtë (lesh, copëza liri, dërrasa shtesë ose materiale tjera natyrore) për të mbajtur temperaturën më të qëndrueshme.

Ajrosja është po aq e rëndësishme sa ngrohja

Shumë fillestarë bëjnë gabimin dhe e mbështjellin kosheren plotësisht me materiale sintetike. Kjo shkakton lagështi të tepërt, e cila është më e rrezikshme se vetë të ftohtit. Hapni vrima të vogla ventilimi që lagështia të dalë jashtë, por që nuk lejojnë erën e ftohtë të hyjë drejtpërdrejt.


Kontrolli për Parazitët

Dimri nuk është koha e duhur për të hapur shpesh kosheren, por duhet të siguroheni para se të vijë i ftohti që bletët të jenë sa më të pastra nga varroa dhe sëmundje të tjera. Një trajtim i kujdesshëm në vjeshtë u jep atyre një shans shumë më të mirë mbijetese.


Mbikëqyrje pa shqetësuar

Në dimër, bletar i mirë është ai që di të vëzhgojë pa hapur shpesh kosheren. Shikoni hyrjen: nëse shihni bletë të ngordhura jashtë, kjo është normale. Nëse sheh mungesë totale aktiviteti edhe në ditë me diell, mund të jetë shenjë e keqe. Mësoni të lexoni shenjat pa e trazuar koloninë.


Në fund, dimri është koha kur bletët të kujtojnë se gjithçka varet nga përgatitjet e bëra më parë. Një koshere e ushqyer mirë, e mbrojtur nga era dhe e shëndetshme do të të shpërblejë në pranverë me një fillim të fuqishëm. Kujdesi që u jep tani është garancia e një sezoni të ardhshëm të begatë dhe kjo është kënaqësia më e madhe për çdo bletar.

Rëndësia e Pjalmuesve: Si e Mbështesin Bletët Bujqësinë

Nëse e ke ngritur ndonjëherë lugën plot me mjaltë dhe ke menduar se kjo është dhurata më e madhe e bletëve, mendo edhe një herë. Dhurata e tyre më e madhe nuk është mjalti, por është puna e heshtur e pjalmimit. Pa të, tavolina jonë do të ishte shumë më e varfër, kopshtet më të zbrazëta dhe fusha më pak gjallëruese.


  Si Funksionon Pjalmimi

Kur bletët vizitojnë lulet për të mbledhur nektar, poleni ngjitet në trupin e tyre të mbuluar me qime. Nga një lule në tjetrën, ato lënë pas grimca poleni, duke mundësuar pjalmimin e bimëve. Ky proces i thjeshtë është baza e shumë prej frutave, perimeve dhe farave që konsumojmë çdo ditë.


  Çfarë Do të Kishim Pa Bletët?

Pa bletët, prodhime të zakonshme si:

  • Mollët, dardhat dhe qershitë,
  • Domatet dhe kungujt,
  • Bajamet dhe arrat,
  • Shumica e bimëve aromatike,

do të ishin shumë më të pakta, më të shtrenjta dhe me cilësi më të dobët. Si bletar, e kupton menjëherë këtë ndikim: kur ka një pranverë të ftohtë dhe bletët dalin më pak, rendimenti i pemëve bie ndjeshëm.


  Bletët dhe Bujqësia Moderne

Fermerët në gjithë botën sot varen nga bletët për pjalmimin e kulturave bujqësore. Shpesh, kosheret zhvendosen nga një fushë në tjetrën për të siguruar pjalmim të bollshëm. Edhe në Kosovë, një kopsht frutor pa bletë nuk jep të njëjtin prodhim. Ky bashkëpunim i heshtur mes bletëve dhe bujqësisë është themeli i sigurisë ushqimore.


  Si Mund t’i Ndihmojmë?

  • Mbillni lule dhe bimë aromatike në kopshtet apo ballkonet tuaja.
  • Shmangni pesticidet gjatë kohës së lulëzimit.
  • Mbështetini bletarët e komunitetit duke blerë mjaltë të pastër nga ata.

Këto gjeste të vogla krijojnë një ndryshim të madh për bletët dhe për ne.


  Përfundim

Të kuptosh rolin e bletëve si pjalmues është si të kuptosh lëngun e jetës që rrjedh në trupin e natyrës. Pa to, bujqësia nuk do të ishte e njëjtë, ushqimi ynë do të ishte i kufizuar dhe ekuilibri i ekosistemeve do të tronditej. Çdo herë që shikon një bletë duke fluturuar nga një lule tek tjetra, kujtohu se ajo nuk po punon vetëm për kosheren, por për të gjithë ne.

Cikli Jetësor i Bletës: Kuptimi i Jetës në Koshere

Nëse ke vendosur të hysh në botën e bletarisë, ka një sekret që bletarët me përvojë e dinë mirë: sa më shumë kupton jetën e një blete, aq më i aftë bëhesh për ta mbajtur koloninë të shëndetshme. Brenda një kosheres ndodh një mrekulli biologjike, një ritëm i pandalshëm që fillon me një vezë të vogël dhe përfundon me një bletë punëtore që vallëzon mbi hojet për të treguar rrugën e luleve.


  Nga një Vezë e Vogël nis gjithçka

Çdo histori në koshere fillon me mbretëreshën. Ajo lëshon deri në 2,000 vezë në ditë, secila e vendosur me kujdes në një qelizë dylli. Vezët janë aq të vogla sa mezi shihen me sy të lirë. Vezët ushqehen me qumësht të amës ose qumësht mbretëror për tre ditë dhe më pas me një përzierje mjalti e poleni. Pas tre ditësh, ato çelin dhe nga aty del larva e cila është një krijesë e brishtë, por me potencial të jashtëzakonshëm.


  Faza e Larvës – E gjithë energjia shkon në rritje

Pasi vezët çelin, bletët infermiere e marrin situatën marrin përsipër.  Brenda vetëm 6 ditësh, larva rritet aq shpejt sa gati mbush plotësisht qelizën. Kur është gati, bletët e mbyllin qelizën me dyll për fazën tjetër.


  Pupë – Transformimi magjik

Brenda qelizës së mbyllur, larva hyn në fazën e pupës. Aty ndodh ndryshimi më i madh – nga një insekt i butë, ajo formon këmbët, krahët, antenat. Ky proces zgjat rreth 12 ditë për bletët punëtore (më pak për mbretëreshën, më shumë për brumbujt). Kur transformimi përfundon, qeliza çahet dhe bleta e re del gati për detyrë.


  Bleta e Rritur – Nga pastruese te mbledhëse

Jeta e një blete punëtore është e shkurtër aty diku rreth 6–8 javë gjatë verës, por me plot role. Ditët e para i kalon duke pastruar qelizat, më pas bëhet infermiere për larvat, roje në hyrje dhe, në fund, mbledhëse nektari e poleni. Brumbujt apo mashkullorët, kanë një detyrë të vetme: të fekondojnë mbretëreshën. Dhe mbretëresha? Ajo vazhdon ciklin, duke lëshuar vezë çdo ditë.


Pse duhet ta njohësh këtë cikël?

Sepse çdo hap i këtij procesi të tregon shumë për shëndetin e kolonisë. Kur hap kosheren dhe sheh vezë të freskëta, larva të bardha dhe pupë të shëndetshme, e di që gjithçka është në ekuilibër. Njohja e këtij ritmi është si të lexosh një libër të hapur për jetën e bletëve, dhe ky libër është udhëzuesi yt më i mirë për një bletari të suksesshme.

Kujdesu për koloninë, respekto këtë cikël, dhe ajo do të të shpërblejë me mjaltë, aromë lulesh dhe një ndjenjë të jashtëzakonshme lidhjeje me natyrën.

Si të Zgjidhni Vendin e Duhur për Kosheren e Bletëve

Vendosja e kosheres në vendin e duhur është një nga vendimet më të rëndësishme për një bletar. Një lokacion i zgjedhur me kujdes mund të bëjë diferencën mes një kolonie të shëndetshme dhe një që lufton për të mbijetuar. Bletët kanë nevoja të thjeshta, por shumë të veçanta – dhe këto fillojnë me mjedisin ku jetojnë.


Klima – Dielli dhe Mbrojtja nga Era

Bletët e duan diellin, sidomos në orët e para të mëngjesit. Një koshere e vendosur në diell ngrohet shpejt dhe bletët fillojnë punën më herët. Shmangni vendet me hije të plotë ose lagështi, sepse këto krijojnë kushte për myk dhe sëmundje. Nga ana tjetër, era e fortë është armiku i tyre. Nëse keni mundësi, vendosni kosheren pas një gardhi, një muri ose pranë disa shkurreve që e mbrojnë nga rrymat e forta të ajrit.


Uji – Jetik për Koloninë

Një koloni pa ujë është një koloni në rrezik. Bletët e përdorin ujin për të holluar mjaltin, për të ushqyer larvat dhe për të rregulluar temperaturën brenda kosheres. Nëse pranë nuk ka burim natyral, sigurohuni t’u vendosni një enë me ujë të pastër dhe disa gurë ose shkopinj mbi të, që bletët të mos mbyten. Mbajeni ujin gjithmonë në të njëjtin vend – bletët kanë kujtesë të jashtëzakonshme!


Bimët përreth – “Tryeza” e Pasur për Bletët

Asnjë shoqëri bletësh nuk mund të mbijetojë pa ushqim. Para se ta vendosni, shikoni përreth: A ka lule? Ka pemë frutore, livadhe apo bimë mjaltore? Një zonë me larmishmëri të bimëve që lulëzojnë gjatë gjithë sezonit është ideale. Nëse jetoni në qytet ose zonë me pak bimësi, mendoni për mbjelljen e disa bimëve aromatike ose bashkëpunoni me fermerët lokalë.


Siguria – E Mira për Bletët dhe për Ju

Kosheret duhet të jenë larg rrugëve me kalim të shpeshtë njerëzish dhe larg fëmijëve apo kafshëve shtëpiake. Një distancë e vogël nga shtëpia, e kombinuar me mbrojtje natyrore, i mban të gjithë të sigurt dhe ju jep qetësi.


Mos nxitoni ta vendosni kosheren kudo. Zgjedhja e vendndodhjes është një investim afatgjatë për shëndetin dhe produktivitetin e bletëve tuaja. Mendoni për diellin, mbrojtjen nga era, furnizimin me ujë dhe ushqimin e bollshëm përreth. Bëjeni këtë me kujdes – dhe bletët do t’ju shpërblejnë me mjaltë, aromë lulesh dhe një ndjenjë të papërshkrueshme harmonie me natyrën.

Fillimet në Bletari: Udhëzues për Fillestarët

Për ata që duan të jetojnë më pranë natyrës dhe të zbulojnë botën e mrekullueshme të bletëve.


Bletaria nuk është thjesht një hobi — është një stil jetese që të mëson durimin, vëzhgimin dhe respektin për natyrën. Nëse ke menduar ndonjëherë të mbash bletë, kjo është koha e duhur për të filluar. Dhe mos u shqetëso, nuk të duhet të jesh ekspert për të ngritur kosheren tënde të parë. Mjafton një zemër e hapur dhe pak udhëzim. Ja çfarë duhet të dish për hapat e parë.


1️⃣ Pse të Fillosh me Bletari?

  • Prodhon mjaltë natyral për vete dhe familjen
  • Ndihmon pjalmimin e luleve në kopshtin tënd dhe përtej
  • Mëson shumë për ekosistemin, biodiversitetin dhe vlerën e çdo qenie të vogël
  • Krijon një lidhje unike me natyrën dhe ciklet natyrore

2️⃣ Çfarë Pajisjesh të Duhen për të Filluar?

Për të nisur me bletarinë, nuk të duhet shumë. Mjafton minimumi i nevojshëm për të qenë i sigurt dhe për t’u kujdesur siç duhet për bletët:

Koshere (Shtëpiza)
Kjo është shtëpia e bletëve. Kosheret moderne kanë kate bletët vendosin vezët (larvat), kate për mjaltin me korniza me dyll ku bletët ndërtojnë hojet e tyre.

Veshje Mbrojtëse
Një kostum i plotë ose deri në mes, me rrjetë mbrojtëse për kokën dhe fytyrën dhe doreza për duart. Nuk është për stil — është për qetësi dhe siguri gjatë punës me bletët.

Tymëtari (Pompë tymi)
Përdoret për të qetësuar bletët gjatë kontrollit. Tymi i butë i bën bletët më të qeta dhe më pak agresive.

Mjet për ndarjen e kornizave
Një vegël e thjeshtë metalike që të ndihmon të ndash kornizat dhe të inspektosh kosheren pa dëmtuar asgjë.

Ushqyese (Opsional-por e rekomandueshme)
Në pranverë të ftohtë apo në vjeshtë, mund të ndihmosh bletët me shurup sheqeri, sidomos në fillimet e familjeve të reja.


3️⃣ Ku të Vendosësh Kosheren?

Vendndodhja është thelbësore. Ja disa rregulla të arta:

  • Diell në mëngjes, pak hije pasdite
  • Larg vendeve me zhurmë ose lëvizje të shumta njerëzish
  • Mbrojtje nga era
  • Qasje në ujë të pastër dhe shumë bimë me lule përreth

Nëse ke një kopsht ose një copë tokë në fshat, je tashmë një hap përpara!


4️⃣ Kur të Fillosh?

Stina më e mirë për të nisur një koshere të re është pranvera – bletët kanë bollëk lulesh, fillojnë ndërtimin, dhe ke gjithë sezonin për të mësuar. Gjatë dimrit mund të përgatitesh: të blesh pajisjet, të lexosh libra, ose të ndjekësh kurse.


5️⃣ Këshillë për Fillim

Nis me vetëm një ose dy koshere. Mëso ritmin, sjelljen dhe nevojat e tyre. Mos u ngut për mjaltin e parë – viti i parë është për mësim, jo për korrje. Mjalti do të vijë… bashkë me shumë të papritura të ëmbla.


Përfundim

Të nisësh bletarinë është si të hapësh një dritare të re drejt natyrës. Nuk është gjithmonë e lehtë, por është e jashtëzakonshme. Fillon për mjaltin, por mbetesh për dashurinë ndaj krijesave që punojnë pa pushim për botën.

Nëse ke pyetje, ka grupe lokale bletarësh, shoqata, forume dhe plot libra e kurse online që mund të të ndihmojnë. Dhe mos harro – bletaria mësohet më shumë me sy sesa me fjalë.

Cili Është Dallimi Mes Bletëve dhe Grerëzave?

Shumë njerëz i ngatërrojnë bletët me grerëzat – sidomos kur një insekt fluturues i verdhë e i zi fillon të rrotullohet rreth tavolinës suaj të piknikut. Por edhe pse mund të duken të ngjashme në pamje të parë, bletët dhe grerëzat janë dy krijesa shumë të ndryshme si në paraqitje, ashtu edhe në sjellje. Ja se çfarë duhet të dini:


Pamja e Jashtme

  • Bletët janë më “topolake” dhe më të mbuluara me qime. Ato kanë një trup më të butë dhe më të rrumbullakosur. Ngjyra e tyre është zakonisht një përzierje e verdhë, kafe dhe e zezë. Qimet e shumta në trup i ndihmojnë të mbledhin polenin.
  • Grerëzat, nga ana tjetër, kanë trup më të hollë, më të gjatë dhe me shkëlqim. Janë zakonisht verdhë me të zezë të ndezur dhe kanë më pak qime. Trupi i tyre duket “i lëmuar” dhe shumë më agresiv në pamje.

Sjellja

  • Bletët janë punëtore e paqësore. Ato janë të interesuara vetëm për të mbledhur nektar dhe polen. Zakonisht nuk afrohen te njerëzit, përveçse nëse ndihen të kërcënuara.
  • Grerëzat janë më agresive dhe mund të pickojnë edhe pa shumë provokim. Ato ushqehen me insekte të tjera dhe karbohidrate, prandaj shpesh i shihni duke u rrotulluar rreth ushqimeve tuaja – sidomos mishi dhe pijet e ëmbla.

Pickimi

  • Bleta pickon vetëm një herë dhe vdes pothuaj se menjëherë pas pickimit, sepse thumbi i saj ngec në lëkurë.
  • Grerëzat mund të pickojnë disa herë, sepse thumbi i tyre është i lëmuar dhe nuk ngec. Kjo i bën më të rrezikshme nëse provokohen.

Roli në Natyrë

  • Bletët janë thelbësore për pjalmimin e bimëve dhe prodhimin e mjaltit. Pa to, shumë nga frutat dhe perimet që hamë nuk do të ekzistonin.
  • Grerëzat gjithashtu kanë një rol të rëndësishëm – ato ndihmojnë në kontrollin e popullatës së insekteve të tjera, pasi ushqehen me larva dhe parazitë. Edhe pse janë më pak të dashura, janë po aq të vlefshme për ekosistemin.

Nëse I Takoni…

  • Nëse shihni një bletë, qëndroni të qetë. Ajo ka gjasa të largohet pa problem.
  • Nëse afrohet një grerëz, mos bëni lëvizje të shpejta – ato mund të ndihen të kërcënuara dhe të reagojnë.

Përfundim

Bletët dhe grerëzat janë pjesë e botës së mrekullueshme të insekteve dhe secila ka rolin e vet të veçantë. Të dish si t’i dallosh dhe si të sillesh me to është mënyra më e mirë për të bashkëjetuar në harmoni me natyrën.

A Mund të Thumbojnë Bletët Më Shumë se Një Herë?

Një nga pyetjet më të shpeshta që dëgjohet kur flitet për bletët është: A mund të thumbojnë ato më shumë se një herë? Përgjigja nuk është thjesht “po” apo “jo” – sepse gjithçka varet nga lloji i bletës dhe kë po thumbon ajo.


Bleta e mjaltit – një here thumbon dhe mbaron

Bleta e zakonshme e mjaltit (Apis mellifera), e njohur për jetën në koloni mbrenda kosheres dhe për prodhimin e mjaltit, mund të thumbojë vetëm një herë – dhe pastaj vdes. Arsyeja është e dhimbshme dhe interesante: thumbi i saj ka skaje me grep të vogël, si një grep peshkimi. Kur thumbon një njeri, ky thumb ngjitet në lëkurë dhe nuk del lehtë.

Kur bleta përpiqet të largohet, thumbi i ngecur tërhiqet bashkë me një pjesë të organeve të brendshme të bletës, duke e dëmtuar për vdekje. Kjo është një sakrificë e madhe, por bleta e bën për të mbrojtur koloninë e saj nga rreziku.


Po brumbujt dhe mbretëresha?

  • Brumbujt (mashkullorët e kosheres) nuk kanë thumb fare. Ata nuk pickojnë – puna e tyre është vetëm riprodhimi.
  • Mbretëresha ka thumb, por rrallë e përdor, dhe zakonisht vetëm për të luftuar një mbretëreshë tjetër. Ajo mund të pickojë disa herë, sepse thumbi i saj nuk ngec si ai i punëtoreve.

Bletët e tjera – një histori ndryshe

Bletët që nuk janë të mjaltit, si p.sh. bletët gërmuese (të dheut ose të drunjëve) ose disa lloje bletësh të vetmuara (solitary bees) , mund të thumbojnë disa herë sepse thumbi i tyre është i lëmuar dhe nuk ngec në lëkurë. Megjithatë, këto bletë janë zakonisht më të buta dhe shmangin konfliktin nëse nuk ndihen të kërcënuara.


Si e Përdorin Bletët Thumbin?

Bletët nuk janë agresive nga natyra. Ato thumbojnë vetëm kur ndihen të rrezikuara, si p.sh. kur dikush lëkund kosheren, afrohet shumë, ose i përplas. Thumbimi është një mekanizëm mbrojtës, jo sulmues. Në fakt, kur një bletë thumbon, ajo lëshon feromone që sinjalizojnë rrezik për të tjerat – dhe kjo mund të shkaktojë më shumë thumbime në një situatë alarmi.


 Këshillë për bletarët fillestarë

Qëndroni të qetë përpara kosheres, vishni veshje të lehta dhe shmangni aromat e forta (si parfume ose aroma e keqe e trupit). Bletët reagojnë më shumë ndaj lëvizjeve të shpejta dhe agresive si dhe aromave të forta sesa ndaj pranisë tuaj.


Përfundim Jo të gjitha bletët mund të thumbojnë më shumë se një herë – por ajo që është e sigurt, është se asnjëra nuk thumbon pa arsye. Bleta e mjaltit, në veçanti, e jep jetën për të mbrojtur shtëpinë dhe motrat e saj. Respekti për këtë krijesë të vogël duhet të fillojë pikërisht nga këto sakrifica të mëdha.

Çfarë Ju Nevojitet për të Filluar Bletarinë: Pajisjet Themelore për Fillestarët

Të fillosh bletarinë mund të tingëllojë si diçka e madhe, por e vërteta është se me disa mjete themelore dhe një dashuri për natyrën, mund të nisni këtë aventurë të ëmbël me këmbë të mbarë. Më poshtë do të gjeni listën e pajisjeve më të domosdoshme për çdo fillestar që dëshiron të mbajë një koshere.


1. Koshere (Hive Box)

Kjo është “shtëpia” e bletëve tuaja. Koshereja përbëhet zakonisht nga:

  • Trupi i kosheres (brood box) – ku mbretëresha vendos vezët dhe rriten larvat.
  • Kornizat – ku bletët ndërtojnë hojet dhe depozitojnë mjaltin.
  • Kapaku – që e mbron koshere nga shiu dhe era.

Zgjidh një model të thjeshtë si Langstroth – është më i përdoruri dhe më i lehtë për fillestarë.


2. Veshjet Mbrojtëse

Besomëni, edhe bletët më të qeta mund të bëhen nervoze. Për këtë arsye, një kostum i plotë bletarie me rrjetë për fytyrën dhe doreza është domosdoshëm.
Zgjidh një ngjyrë të çelët (si e bardha) sepse bletët ngacmohen më shumë nga ngjyrat e errëta.


3. Pompë tymi – Tymosëse

Kjo është një nga mjetet më të rëndësishme që do të përdorësh. Tymi qetëson bletët dhe i bën më pak agresive gjatë kontrollit të kosheres. Mjafton pak tym mbi hyrje dhe brenda kosheres për të punuar në qetësi.


4. Vegël Kornizash

Një mjet i thjeshtë metalik që të ndihmon të ndash kornizat, të heqësh dyllin e tepërt dhe të kontrollosh kosheren pa dëmtuar strukturën. Është si “lopata” e çdo bletari – nuk shkon askund pa të.


5. Ushqimore – Opsionale, por e dobishme

Në fillim, sidomos në pranverë, bletët mund të kenë nevojë për pak ndihmë me ushqim (sherbet) derisa të fillojnë të mbledhin nektar natyral. Ushqimoret vendosen brenda ose pranë kosheres.


Këshillë Bonus:

Filloni me vetëm një ose dy koshere. Kështu mësoni më shpejt dhe keni më pak stres. Dhe mbi të gjitha – mësoni duke vëzhguar! Bletaria është një mësim i përhershëm.


Fjala e Fundit

Nuk ju nevojitet një investim i madh për të filluar, por duhet durim, vëmendje dhe respekt për këto krijesa të mahnitshme. Të kujdesesh për bletët është më shumë se një hobi – është një mënyrë për të ndihmuar natyrën dhe për të ndjerë ritmin e saj nga afër.

Klikoni në linkun ma poshtë që të shihni video nga kontrollet në bletishte
https://www.youtube.com/@heksapro/featured?sub_confirmation=1

Si e Mbajnë Bletët Gjallë Botën e Gjelbër: Për Nderë të Ditës Botërore të Bletës

Më 20 Maj, mbarë bota festoi Ditën Botërore të Bletës – një ditë e veçantë për të kujtuar rolin thelbësor që këto krijesa të vogla kanë në jetën tonë të përditshme. Ndoshta duket e pabesueshme, por bletët janë përgjegjëse për çdo të tretën kafshatë që hamë. Pa to, do të kishim shumë më pak fruta, perime, lule dhe jetë.

     Bletët si Rojet e Biodiversitetit dhe Sigurisë Ushqimore

Bletët janë shumë më tepër sesa prodhuese të mjaltit. Ato janë polenizues natyrorë, që ndihmojnë bimët të riprodhohen. Falë tyre, pemët tona në Kosovë – qershitë e Prizrenit, mollët e Drenicës, kumbullat e Anamoravës – japin fruta me bollëk. Lule të egra si ushqerëza, sinapi, luleradhiqja dhe trëndafilët e egër lulëzojnë falë punës së heshtur të bletëve.

Kur bletët zhduken, zhduket edhe një pjesë e madhe e ekosistemit. Në mbarë botën, popullatat e bletëve janë në rënie për shkak të pesticideve, ndotjes, mungesës së bimëve mjaltore dhe ndryshimeve klimatike.

     Trashëgimia e Bletarisë në Kosovë

Kosova ka një traditë të pasur bletarie, e ruajtur nga brezi në brez në fshatrat dhe qytetet tona. Bletarët e zonave të Dukagjinit, Drenicës, Fushës së Kosovës janë dëshmitarë të lidhjes së thellë mes njeriut dhe natyrës. Koshere të vendosura afër livadheve të mbushura me bimë mjekësore krijojnë mjaltë të pasur në shije dhe vlera.

Në këtë Dite Botërore të Bletës, le të kujtojmë se çdo kavanoz mjaltë nuk është thjesht produkt – por rezultat i mijëra fluturimeve, bashkëpunimit të një kolonie dhe dashurisë së bletarit ndaj natyrës.


     Çfarë Mund të Bëjmë Ne?

      Mbillni Lule për Bletët!

Një nga mënyrat më të bukura për të festuar Ditën Botërore të Bletës është të mbjellim bimë që ushqejnë bletët. Edhe nëse jetoni në qytet, në ballkon ose kopësht të vogël, mund të ndihmoni!

      Bimë të Shkëlqyera për Bletët:

  • Livando (Lavandula officinalis) – aromatike dhe shumë e dashur për bletët
  • Kalendula (Calendula officinalis) – lule e artë me veti mjekësore
  • Lulëkuqet dhe lulebasani – të egra, por me shumë nektar
  • Borziloku dhe trumëza (Ocimum basilicum dhe Thymus vulgaris) – bimë aromatike që lulëzojnë me nektar të pasur
  • Ekinacea (Echinacea purpurea) – jo vetëm për bletët, por edhe për shëndetin tuaj
  • Luledielli (Helianthus annuus) – një festë për syrin dhe për bletët

Këto bimë tërheqin jo vetëm bletët, por edhe fluturat, ndihmojnë tokën dhe shtojnë bukurinë në çdo hapësirë.


📸 Bashkohuni me Ne!

Nëse keni mbjellë lule për bletët ose doni të ndani foto nga kosheret, lulet tuaja, ose momente në natyrë, na dërgoni pamje dhe do t’i publikojmë në blog dhe rrjetet sociale të HeksaPro!


🙏 Falenderim për Bletët dhe për Ju

Dita Botërore e Bletës nuk është vetëm për bletarët. Është për të gjithë ne që duam ushqim të pastër, natyrë të gjallë dhe një të ardhme të shëndetshme për fëmijët tanë.

Mbillni një lule. Blini mjaltë lokal. Edukoni fëmijët rreth bletëve.
Sepse kur ndihmojmë bletët, ndihmojmë veten.

A Flenë Bletët? Një Mister i Ëmbël nga Kosherja

Është një pyetje që shumëkush mund ta ketë bërë në ndonjë pasdite vere teksa sheh një bletë të ngadaltë që qëndron pezull mbi një lule: A flenë bletët? Përgjigjja është po — edhe bletët kanë nevojë për gjumë!


Si Flenë Bletët?

Edhe pse nuk shtrihen në një shtrat si ne, bletët punëtore pushojnë në mënyrë të rregullt gjatë natës. Ato ngadalësojnë lëvizjet, ndalojnë antenat dhe qëndrojnë të palëvizshme në një qelizë brenda kosheres. Disa herë mund t’i shihni edhe me kokën të futur në ndonjë qelizë të hojeve. Gjatë kësaj kohe, truri i tyre pushon, por është ende i ndjeshëm ndaj rrezikut.

Bletët zakonisht flenë disa herë në ditë, me një total prej 5–8 orësh gjumë gjatë 24 orëve — një shifër që i afrohet shumë njeriut.


A Flenë të Gjitha Bletët Njësoj?

Jo!

  • Bletët punëtore që janë më të reja flenë më pak, sepse kanë më shumë punë brenda në koshere (pastrimi, ushqimi i larvave etj.).
  • Bletët më të vjetra, sidomos ato që dalin për të mbledhur nektar, flenë më shumë sepse u duhet më shumë rikuperim.
  • Mbretëresha flen shumë pak dhe me ndërprerje, sepse puna e saj kryesore është të vendosë vezë.
  • Brumbujt, mashkullorët e kosheres, janë më të relaksuar dhe kanë periudha më të gjata pushimi, sidomos kur nuk janë në sezon çiftëzimi.

Pse është i Rëndësishëm Gjumi për Bletët?

Ashtu si tek njerëzit, edhe te bletët gjumi ndihmon në kujtesë dhe përqendrim. Studimet kanë treguar se bletët që flenë mjaftueshëm janë më të afta për të kujtuar rrugën drejt luleve dhe për të komunikuar më mirë përmes “vallëzimit të bletës”.


Fakt Interesant

Nëse një bletë nuk flenë mjaftueshëm, ajo mund të bëjë gabime kur përpiqet të tregojë vendndodhjen e luleve – duke hutuar të gjithë koloninë!


Pra po, edhe bletët flenë – madje ndoshta kanë nevojë për një kafe bletësh kur zgjohen herët në mëngjes! Herën tjetër që dëgjoni zhurmën e butë të një kosheres, kujtoni që brenda saj ka një botë të tërë që jo vetëm punon pa ndalim, por edhe… fle ëmbël.